4Allahu nuk i ka dhënë asnjë njeriu dy zemra në kraharor. Ai nuk i konsideron gratë, që ju i ndani si nënat tuaja e as fëmijët tuaj të birësuar nuk i konsideron si bij të vërtetë. Këto janë vetëm fjalë që dalin prej gojës suaj, kurse Allahu thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugë të drejtë.
5Thërritini të birësuarit sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë në sytë e Allahut. Në qoftë se nuk e dini emrin e etërve të tyre, konsiderojini ata si vëllezërit tuaj të besimit dhe si të mitur nën tutelën tuaj. Nuk është gjynah nëse gaboni, por është gjynah, kur zemrat tuaja bëjnë faj me qëllim. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
6I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre. Sipas Librit të Allahut, pjesëtarët e farefisit janë më të afërt për njëri-tjetrin, sesa besimtarët e tjerë dhe të mërguarit, përveç rastit kur doni t’u bëni ndonjë të mirë miqve tuaj të afërt (me anë të testamentit). Kjo është shënuar në Libër.
7Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne,
9O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh), e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit; ndërsa Allahu i sheh të gjitha ato që bëni ju.
13Dhe një grup prej tyre tha: “O banorët e Jethribit, s’ka qëndrim këtu për ju, andaj kthehuni!” Një grup tjetër nga ata kërkoi leje prej të Dërguarit, duke thënë: “Në të vërtetë, shtëpitë tona janë të pambrojtura”! Por ato nuk ishin të pambrojtura. Ata donin vetëm të iknin.
17Thuaju: “Kush është ai, që do t’ju ruajë nga Allahu, nëse Ai dëshiron që t’ju godasë e keqja?! Kush mund ta pengojë Atë, nëse Ai do që t’ju japë mëshirë?!” Ata nuk do të gjejnë as mbrojtës, as ndihmës tjetër përveç Allahut.
18Allahu i njeh mirë ata midis jush, që pengojnë (të tjerët nga vajtja në luftë) dhe u thonë vëllezërve të tyre: “Ejani te ne!” Vetëm pak prej tyre vijnë në luftë,
19por edhe atëherë ngurrojnë që t’ju ndihmojnë. Kur frikësohen, ata të shikojnë ty (o Muhamed) për ndihmë, duke i rrotulluar sytë sikur të ishin në agoni. Por, sapo t’u kalojë frika, ata ju sulmojnë me gjuhë të mprehtë dhe janë koprracë me ju për çfarëdo të mire. Këta janë ata që nuk kanë besuar, andaj Allahu i ka asgjësuar veprat e tyre. E, kjo për Allahun është lehtë.
20Ata mendonin se ende nuk kishte ikur ushtria e aleatëve e, nëse do të vinte ushtria e aleatëve, ata do të dëshironin të ishin në mesin e arabëve të shkretëtirës e të pyesin për ju. Por edhe sikur të mbeteshin me ju, pak do të luftonin.
22Kur besimtarët e vërtetë panë ushtrinë e aleatëve, thanë: “Kjo është ajo që na ka premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij; sigurisht, premtimi i tyre u vërtetua!” Kjo ua forcoi atyre besimin dhe përuljen.
23Midis besimtarëve ka të atillë që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.
24Nuk ka dyshim se Allahu do t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre e do t’i dënojë hipokritët, nëse do, ose do t’u pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
25Allahu i zmbrapsi jobesimtarët (e ushtrisë së aleatëve) me hidhërimin e tyre dhe ata dolën duarbosh. Ai i kurseu besimtarët nga lufta. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.
26Ai i nxori nga kështjellat e tyre ithtarët e Librit që ndihmuan ushtrinë e aleatëve dhe mbolli frikë në zemrat e tyre, kështu që një pjesë të tyre i vratë dhe pjesën tjetër i zutë robër.
27Ai ju bëri trashëgimtarë të tokës, shtëpive dhe pasurive të tyre, si dhe të një toke që nuk e kishit shkelur më parë; Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
28O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju lëshoj si është më mirë.
29Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira.”
31Ndërsa atyre prej jush që binden ndaj Allahut e të Dërguarit të Tij dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’u japim shpërblim të dyfishtë e u kemi përgatitur begati të mëdha.
32O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!
33Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes! Falni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij! O familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.
34Mbani në mendje ato që lexohen në shtëpitë tuaja prej Shpalljes së Allahut dhe Urtësisë (profetike)! Me të vërtetë, Allahu është Bamirës i pakufishëm dhe di çdo gjë.
35Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.
36Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.
37Ti (o Muhamed) i the atij, që Allahu dhe ti vetë i keni bërë mirësi: “Mbaje gruan tënde dhe frikësoju Allahut!” Në të vërtetë, ti po fsheh në vetvete atë që Allahu do ta nxjerrë në shesh dhe ti po u frikësohesh njerëzve, kur më e drejtë është t’i frikësohesh Allahut. E, pasi Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte, në mënyrë që besimtarët të mos ngurrojnë që të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, pasi ata ta kenë plotësuar dëshirën e tyre dhe të jenë ndarë. Urdhri i Allahut do të përmbushet detyrimisht.
38S’ka kurrfarë fajësimi për Profetin, kur bën atë që i ka urdhëruar Allahu. Kështu ka qenë ligji i Allahut edhe për ata (profetë) që kanë qenë më parë, - urdhri i Allahut është vendim i detyruar të ndodhë -,
43Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.
49O besimtarë! Kur martoheni me besimtaret dhe i ndani ato para se t’i prekni, ato nuk janë të detyruara t’ju presin në afatin kohor të caktuar, por jepuni një dhuratë të kënaqshme dhe i ndani njerëzishëm.
50O Profet! Ne t’i kemi lejuar ty (për martesë), gratë që u ke dhënë dhuratat e martesës, skllavet, që t’i ka dhënë ty Allahu (si pre të luftës), vajzat e xhaxhallarëve, hallave, dajave dhe tezeve të cilat mërguan bashkë me ty, si edhe gruan besimtare, që u vetëdha për Ty, nëse Ti dëshiron të martohesh me atë. Kjo të është lejuar vetëm ty e jo besimtarëve të tjerë. Ne e dimë çfarë u kemi caktuar atyre për gratë e tyre dhe për ato që gjenden nën pushtetin e tyre, që për ty të mos ketë fajësim. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
51Ti mund ta largosh kë të duash prej tyre e të afrosh kë të duash e nuk është gjynah për ty t’i kërkosh (ato) prej të cilave je larguar. Kjo është më e përshtatshme që ato të gëzohen, që të mos pikëllohen dhe që të jenë të kënaqura me atë që u ke dhënë. Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja; Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Butë.
52Këtej e tutje nuk të lejohen më gra të tjera, as të marrësh tjetër grua në vend të tyre, edhe sikur të të magjepsë bukuria e tyre, përveç skllaveve. Allahu është mbikëqyrës për çdo gjë.
53O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t’ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t’jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t’jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Profetit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.
55Nuk është gjynah për ato, nëse dalin të pambuluara para etërve të tyre, djemve të tyre, vëllezërve dhe djemve të vëllezërve të tyre, djemve të motrave të tyre e grave të tyre, si dhe para skllaveve që janë nën pushtetin e tyre. Frikësojuni Allahut, se, me të vërtetë, Allahu është dëshmitar për çdo gjë.
58Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.
59O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
60Nëse nuk heqin dorë (nga veprimet e tyre) hipokritët, ata që kanë sëmundje (dyshimi) në zemrat e tyre dhe ata që përhapin lajme të gënjeshtërta në Medinë, Ne me siguri, ty do të të japim pushtet mbi ta dhe ditët e tyre në Medinë do të jenë të numëruara.
72Ne ua ofruam përgjegjësinë qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).
73Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtet Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.