6sepse, kur të dërguarit e tyre sillnin prova të qarta, ata thoshin: “Vallë, vdekatarë si ne do të na udhëheqin?” Dhe kështu mohuan e ia kthyen kurrizin (besimit). Por Allahu nuk ka nevojë (për ata). Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për çdo lavd.
7Mohuesit kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: “Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë ç’keni bërë!” Dhe kjo është e lehtë për Allahun.
9Dita, kur Ai do t’ju mbledhë, dita, kur të gjithë do të grumbulloheni, do të jetë Dita e humbjes dhe fitimit. Atij që beson në Allahun dhe bën vepra të mira, Allahu do t’ia falë gjynahet dhe do ta shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.
10Ndërsa ata që nuk kanë besuar dhe i kanë mohuar shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përherë. Eh, sa fund i tmerrshëm është ai!
14O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre! Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.
16Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni, dëgjoni e binduni dhe shpenzoni për bamirësi në të mirën tuaj. Ata që e ruajnë veten nga lakmia e saj, pikërisht ata janë të fituarit.