Sovereignty · al-Mulk · سورة الملك · 30 ayahs

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

تَبَارَكَ الَّذِي بِيَدِهِ الْمُلْكُ وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë!

الَّذِي خَلَقَ الْمَوْتَ وَالْحَيَاةَ لِيَبْلُوَكُمْ أَيُّكُمْ أَحْسَنُ عَمَلًا ۚ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْغَفُورُ

Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.

الَّذِي خَلَقَ سَبْعَ سَمَاوَاتٍ طِبَاقًا ۖ مَا تَرَىٰ فِي خَلْقِ الرَّحْمَٰنِ مِنْ تَفَاوُتٍ ۖ فَارْجِعِ الْبَصَرَ هَلْ تَرَىٰ مِنْ فُطُورٍ

Ai ka krijuar shtatë qiej njërin mbi tjetrin. Nuk mund të gjesh në krijimin e të Gjithëmëshirshmit kurrfarë ceni. Hidhe vështrimin: a sheh ndonjë plasaritje?

ثُمَّ ارْجِعِ الْبَصَرَ كَرَّتَيْنِ يَنْقَلِبْ إِلَيْكَ الْبَصَرُ خَاسِئًا وَهُوَ حَسِيرٌ

Pastaj hidhe sërish vështrimin; sytë e tu do të kthehen të lodhur e të molisur.

وَلَقَدْ زَيَّنَّا السَّمَاءَ الدُّنْيَا بِمَصَابِيحَ وَجَعَلْنَاهَا رُجُومًا لِلشَّيَاطِينِ ۖ وَأَعْتَدْنَا لَهُمْ عَذَابَ السَّعِيرِ

Ne jua kemi zbukuruar qiellin më të afërm me yje të shkëlqyeshme dhe i kemi bërë ato si predha për të larguar djajtë, për të cilët kemi përgatitur dënimin me zjarr.

وَلِلَّذِينَ كَفَرُوا بِرَبِّهِمْ عَذَابُ جَهَنَّمَ ۖ وَبِئْسَ الْمَصِيرُ

Kurse për ata, që e mohojnë Zotin e tyre, dënimi është Xhehenemi; eh, sa i shëmtuar është ai vendbanim!

إِذَا أُلْقُوا فِيهَا سَمِعُوا لَهَا شَهِيقًا وَهِيَ تَفُورُ

Kur të hidhen aty, do të dëgjojnë ulërimën e tij, ndërkohë që ai vlon

تَكَادُ تَمَيَّزُ مِنَ الْغَيْظِ ۖ كُلَّمَا أُلْقِيَ فِيهَا فَوْجٌ سَأَلَهُمْ خَزَنَتُهَا أَلَمْ يَأْتِكُمْ نَذِيرٌ

gati për të shpërthyer me furi. Sa herë që aty të hidhet ndonjë grup, rojtarët e tij do t’i pyesin ata: “A nuk ju erdhi ndonjë paralajmërues?!”

قَالُوا بَلَىٰ قَدْ جَاءَنَا نَذِيرٌ فَكَذَّبْنَا وَقُلْنَا مَا نَزَّلَ اللَّهُ مِنْ شَيْءٍ إِنْ أَنْتُمْ إِلَّا فِي ضَلَالٍ كَبِيرٍ

“Po - do të përgjigjen ata - na kanë ardhur vërtet paralajmërues, por ne i quajtëm ata gënjeshtarë dhe thamë: “Allahu nuk ka shpallur asgjë; ju jeni në një humbje të madhe”!

وَقَالُوا لَوْ كُنَّا نَسْمَعُ أَوْ نَعْقِلُ مَا كُنَّا فِي أَصْحَابِ السَّعِيرِ

Ata do të thonë: “Sikur të kishim dëgjuar ose menduar, nuk do të ishim midis banorëve të Zjarrit Flakërues!”

فَاعْتَرَفُوا بِذَنْبِهِمْ فَسُحْقًا لِأَصْحَابِ السَّعِيرِ

Kështu, ata do ta pranojnë gjynahun e tyre. Larg qofshin prej mëshirës së Zotit banorët e Zjarrit Flakërues!

إِنَّ الَّذِينَ يَخْشَوْنَ رَبَّهُمْ بِالْغَيْبِ لَهُمْ مَغْفِرَةٌ وَأَجْرٌ كَبِيرٌ

Vërtet, për ata që i frikësohen Zotit të tyre pa e parë Atë, do të ketë falje dhe shpërblim të madh!

وَأَسِرُّوا قَوْلَكُمْ أَوِ اجْهَرُوا بِهِ ۖ إِنَّهُ عَلِيمٌ بِذَاتِ الصُّدُورِ

Sido që të flisni ju, fshehtas apo haptas, Ai e di mirë ç’ka në zemrat tuaja.

أَلَا يَعْلَمُ مَنْ خَلَقَ وَهُوَ اللَّطِيفُ الْخَبِيرُ

E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!

هُوَ الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الْأَرْضَ ذَلُولًا فَامْشُوا فِي مَنَاكِبِهَا وَكُلُوا مِنْ رِزْقِهِ ۖ وَإِلَيْهِ النُّشُورُ

Ai jua ka bërë Tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjalleni, do të ktheheni tek Ai.

أَأَمِنْتُمْ مَنْ فِي السَّمَاءِ أَنْ يَخْسِفَ بِكُمُ الْأَرْضَ فَإِذَا هِيَ تَمُورُ

A jeni të sigurt se kush është në qiell nuk do ta bëjë Tokën t’ju kapërdijë, kur të fillojë të dridhet papritmas?

أَمْ أَمِنْتُمْ مَنْ فِي السَّمَاءِ أَنْ يُرْسِلَ عَلَيْكُمْ حَاصِبًا ۖ فَسَتَعْلَمُونَ كَيْفَ نَذِيرِ

A jeni të sigurt se kush është në qiell, nuk do t’ju çojë furtunë gurësh? Atëherë do ta dini sa i frikshëm është paralajmërimi Im!

وَلَقَدْ كَذَّبَ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ فَكَيْفَ كَانَ نَكِيرِ

Edhe ata që ishin para jush i quajtën gënjeshtarë të dërguarit e tyre. Eh, sa i ashpër ka qenë ndëshkimi Im!

أَوَلَمْ يَرَوْا إِلَى الطَّيْرِ فَوْقَهُمْ صَافَّاتٍ وَيَقْبِضْنَ ۚ مَا يُمْسِكُهُنَّ إِلَّا الرَّحْمَٰنُ ۚ إِنَّهُ بِكُلِّ شَيْءٍ بَصِيرٌ

A nuk i shohin shpendët mbi kokat e tyre, se si i hapin dhe i mbledhin krahët? Askush nuk i mban ata, përveç të Gjithëmëshirshmit; Ai, me të vërtetë, sheh çdo gjë.

أَمَّنْ هَٰذَا الَّذِي هُوَ جُنْدٌ لَكُمْ يَنْصُرُكُمْ مِنْ دُونِ الرَّحْمَٰنِ ۚ إِنِ الْكَافِرُونَ إِلَّا فِي غُرُورٍ

Kush është ai, që mund t’ju ndihmojë si një ushtri e tërë, përveç të Gjithëmëshirshmit? Mohuesit janë pre e mashtrimit (të shejtanit).

أَمَّنْ هَٰذَا الَّذِي يَرْزُقُكُمْ إِنْ أَمْسَكَ رِزْقَهُ ۚ بَلْ لَجُّوا فِي عُتُوٍّ وَنُفُورٍ

Kush janë ata, që do t’ju japin mjete jetese, në qoftë se Ai jua ndalon ato? Por ata janë zhytur në kryeneçësi e mendjemadhësi.

أَفَمَنْ يَمْشِي مُكِبًّا عَلَىٰ وَجْهِهِ أَهْدَىٰ أَمَّنْ يَمْشِي سَوِيًّا عَلَىٰ صِرَاطٍ مُسْتَقِيمٍ

A është më mirë ai që shkon rrëshqanas e kokulur apo ai që ecën ballëlart në rrugën e drejtë?

قُلْ هُوَ الَّذِي أَنْشَأَكُمْ وَجَعَلَ لَكُمُ السَّمْعَ وَالْأَبْصَارَ وَالْأَفْئِدَةَ ۖ قَلِيلًا مَا تَشْكُرُونَ

Thuaju: “Është Ai që ju ka krijuar dhe ju ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrat, e megjithatë ju pak e falënderoni!”

قُلْ هُوَ الَّذِي ذَرَأَكُمْ فِي الْأَرْضِ وَإِلَيْهِ تُحْشَرُونَ

Thuaju: “Është Ai që ju ka shpërndarë nëpër Tokë dhe para Tij do të tuboheni”.

وَيَقُولُونَ مَتَىٰ هَٰذَا الْوَعْدُ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ

Ata thonë: “Atëherë, kur (do të vijë) ky premtim, nëse thoni të vërtetën?”

قُلْ إِنَّمَا الْعِلْمُ عِنْدَ اللَّهِ وَإِنَّمَا أَنَا نَذِيرٌ مُبِينٌ

Thuaju: “Dijenia (për këtë) i përket vetëm Allahut, kurse unë jam vetëm një paralajmërues i qartë”.

فَلَمَّا رَأَوْهُ زُلْفَةً سِيئَتْ وُجُوهُ الَّذِينَ كَفَرُوا وَقِيلَ هَٰذَا الَّذِي كُنْتُمْ بِهِ تَدَّعُونَ

Kur të shohin dënimin për së afërmi, fytyrat e atyre që mohuan do të zymtohen dhe, atëherë, do t’u thuhet: “Ja, kjo është ajo që e keni kërkuar të shpejtohej!”

قُلْ أَرَأَيْتُمْ إِنْ أَهْلَكَنِيَ اللَّهُ وَمَنْ مَعِيَ أَوْ رَحِمَنَا فَمَنْ يُجِيرُ الْكَافِرِينَ مِنْ عَذَابٍ أَلِيمٍ

Thuaj: “Mendoni: në qoftë se Allahu më shkatërron mua dhe ndjekësit e mi apo na mëshiron, kush është ai që do t’i mbrojë jobesimtarët nga dënimi i padurueshëm?!”

قُلْ هُوَ الرَّحْمَٰنُ آمَنَّا بِهِ وَعَلَيْهِ تَوَكَّلْنَا ۖ فَسَتَعْلَمُونَ مَنْ هُوَ فِي ضَلَالٍ مُبِينٍ

Thuaj: “Ai është i Gjithëmëshirshmi; ne Atë besojmë dhe tek Ai mbështetemi e ju, sigurisht, do ta merrni vesh se kush do të jetë në humbje të plotë”.

قُلْ أَرَأَيْتُمْ إِنْ أَصْبَحَ مَاؤُكُمْ غَوْرًا فَمَنْ يَأْتِيكُمْ بِمَاءٍ مَعِينٍ

Thuaj: “Mendoni: nëse ujërat tuaja ju shteren, kush (përveç Allahut) do t’ju sjellë ujë rrjedhës?!”