Muhammad · Muhammad · سورة محمد · 38 ayahs

بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

الَّذِينَ كَفَرُوا وَصَدُّوا عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ أَضَلَّ أَعْمَالَهُمْ

Atyre që mohuan dhe penguan (njerëzit) nga rruga e Allahut, Ai do t'ua zhvlerësojë veprat.

وَالَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَآمَنُوا بِمَا نُزِّلَ عَلَىٰ مُحَمَّدٍ وَهُوَ الْحَقُّ مِنْ رَبِّهِمْ ۙ كَفَّرَ عَنْهُمْ سَيِّئَاتِهِمْ وَأَصْلَحَ بَالَهُمْ

Ndërkaq, atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe besojnë në atë që i është shpallur Muhamedit, – e cila është e vërteta nga Zoti i tyre, – Ai do t'ua shlyejë gjynahet dhe do t'ua përmirësojë gjendjen.

ذَٰلِكَ بِأَنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا اتَّبَعُوا الْبَاطِلَ وَأَنَّ الَّذِينَ آمَنُوا اتَّبَعُوا الْحَقَّ مِنْ رَبِّهِمْ ۚ كَذَٰلِكَ يَضْرِبُ اللَّهُ لِلنَّاسِ أَمْثَالَهُمْ

Kjo, se ata që mohojnë ndjekin të pavërtetën, kurse ata që besojnë ndjekin të vërtetën nga Zoti i tyre. Kështu Allahu ua sjell njerëzve shembujt e tyre.

فَإِذَا لَقِيتُمُ الَّذِينَ كَفَرُوا فَضَرْبَ الرِّقَابِ حَتَّىٰ إِذَا أَثْخَنْتُمُوهُمْ فَشُدُّوا الْوَثَاقَ فَإِمَّا مَنًّا بَعْدُ وَإِمَّا فِدَاءً حَتَّىٰ تَضَعَ الْحَرْبُ أَوْزَارَهَا ۚ ذَٰلِكَ وَلَوْ يَشَاءُ اللَّهُ لَانْتَصَرَ مِنْهُمْ وَلَٰكِنْ لِيَبْلُوَ بَعْضَكُمْ بِبَعْضٍ ۗ وَالَّذِينَ قُتِلُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَلَنْ يُضِلَّ أَعْمَالَهُمْ

Kur të ndesheni me jobesimtarët, goditini në qafë derisa t'i këputni (duke i vrarë) e pastaj lidhini fort. Më pas, ose lirojini me mirësi, ose me shpërblim, derisa të mbarojë lufta. Kështu pra, se, po të donte Allahu, do t'i mposhtte ata (pa luftë), por Ai dëshiron t'ju sprovojë me njëri-tjetrin. Atyre që vriten në rrugën e Allahut, Ai nuk do t'ua humbë kurrë veprat e tyre.

سَيَهْدِيهِمْ وَيُصْلِحُ بَالَهُمْ

Ai do t'i udhëzojë ata dhe do t'ua përmirësojë gjendjen,

وَيُدْخِلُهُمُ الْجَنَّةَ عَرَّفَهَا لَهُمْ

si dhe do t'i fusë në Xhenet, të cilin ua ka bërë të njohur.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ تَنْصُرُوا اللَّهَ يَنْصُرْكُمْ وَيُثَبِّتْ أَقْدَامَكُمْ

O ju që besoni! Nëse e ndihmoni Allahun, Ai do t'ju ndihmojë juve dhe do t'jua forcojë këmbët.

وَالَّذِينَ كَفَرُوا فَتَعْسًا لَهُمْ وَأَضَلَّ أَعْمَالَهُمْ

Ndërkaq, për ata që mohojnë do të ketë shkatërrim dhe Ai do t'ua humbë veprat atyre.

ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ كَرِهُوا مَا أَنْزَلَ اللَّهُ فَأَحْبَطَ أَعْمَالَهُمْ

Kjo, se ata e urrejnë atë që ka shpallur Allahu, prandaj Ai i asgjëson veprat e tyre.

أَفَلَمْ يَسِيرُوا فِي الْأَرْضِ فَيَنْظُرُوا كَيْفَ كَانَ عَاقِبَةُ الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ ۚ دَمَّرَ اللَّهُ عَلَيْهِمْ ۖ وَلِلْكَافِرِينَ أَمْثَالُهَا

A nuk kanë udhëtuar ata nëpër tokë për të parë se si ka qenë fundi i atyre që ishin para tyre?! Allahu i shkatërroi ata tërësisht. Jobesimtarët i pret fat i ngjashëm.

ذَٰلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ مَوْلَى الَّذِينَ آمَنُوا وَأَنَّ الْكَافِرِينَ لَا مَوْلَىٰ لَهُمْ

Kjo, se Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë, kurse jobesimtarët nuk kanë mbrojtës.

إِنَّ اللَّهَ يُدْخِلُ الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ ۖ وَالَّذِينَ كَفَرُوا يَتَمَتَّعُونَ وَيَأْكُلُونَ كَمَا تَأْكُلُ الْأَنْعَامُ وَالنَّارُ مَثْوًى لَهُمْ

Me të vërtetë, Allahu do t'i fusë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ndërkaq, ata që mohojnë, dëfrehen e hanë ashtu siç hanë bagëtia, ndërkohë që Zjarri do të jetë vendstrehimi i tyre.

وَكَأَيِّنْ مِنْ قَرْيَةٍ هِيَ أَشَدُّ قُوَّةً مِنْ قَرْيَتِكَ الَّتِي أَخْرَجَتْكَ أَهْلَكْنَاهُمْ فَلَا نَاصِرَ لَهُمْ

E sa e sa qytete, që ishin më të fuqishme se ai që të dëboi ty, i kemi shkatërruar, dhe nuk patën asnjë ndihmës!

أَفَمَنْ كَانَ عَلَىٰ بَيِّنَةٍ مِنْ رَبِّهِ كَمَنْ زُيِّنَ لَهُ سُوءُ عَمَلِهِ وَاتَّبَعُوا أَهْوَاءَهُمْ

A është ai që mbështetet në dëshmi të qartë nga Zoti i vet si ai të cilit i është hijeshuar puna e tij e keqe dhe ndjek dëshirat e veta?!

مَثَلُ الْجَنَّةِ الَّتِي وُعِدَ الْمُتَّقُونَ ۖ فِيهَا أَنْهَارٌ مِنْ مَاءٍ غَيْرِ آسِنٍ وَأَنْهَارٌ مِنْ لَبَنٍ لَمْ يَتَغَيَّرْ طَعْمُهُ وَأَنْهَارٌ مِنْ خَمْرٍ لَذَّةٍ لِلشَّارِبِينَ وَأَنْهَارٌ مِنْ عَسَلٍ مُصَفًّى ۖ وَلَهُمْ فِيهَا مِنْ كُلِّ الثَّمَرَاتِ وَمَغْفِرَةٌ مِنْ رَبِّهِمْ ۖ كَمَنْ هُوَ خَالِدٌ فِي النَّارِ وَسُقُوا مَاءً حَمِيمًا فَقَطَّعَ أَمْعَاءَهُمْ

Xheneti, që u është premtuar të devotshmëve, është si vijon: ka lumenj me ujë të pastër, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty çdo lloj frute dhe falje nga Zoti i tyre. A mund të jetë ky shpërblim i njëjtë me atë të atyre që do të jenë përherë në Zjarr e do t'u jepet ujë i valë që ua gris zorrët?!

وَمِنْهُمْ مَنْ يَسْتَمِعُ إِلَيْكَ حَتَّىٰ إِذَا خَرَجُوا مِنْ عِنْدِكَ قَالُوا لِلَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ مَاذَا قَالَ آنِفًا ۚ أُولَٰئِكَ الَّذِينَ طَبَعَ اللَّهُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ وَاتَّبَعُوا أَهْوَاءَهُمْ

Disa nga ata të dëgjojnë, por, kur largohen prej teje, u thonë atyre që u është dhënë dija: "Çfarë tha pak më parë?!" Këta janë ata të cilëve Allahu ua ka vulosur zemrat dhe të cilët ndjekin dëshirat e veta.

وَالَّذِينَ اهْتَدَوْا زَادَهُمْ هُدًى وَآتَاهُمْ تَقْوَاهُمْ

Ndërkaq, atyre që janë në rrugë të drejtë, Ai ua shton udhëzimin dhe u jep devotshmëri.

فَهَلْ يَنْظُرُونَ إِلَّا السَّاعَةَ أَنْ تَأْتِيَهُمْ بَغْتَةً ۖ فَقَدْ جَاءَ أَشْرَاطُهَا ۚ فَأَنَّىٰ لَهُمْ إِذَا جَاءَتْهُمْ ذِكْرَاهُمْ

A presin gjë tjetër veç Kiametit që t'u vijë befas?! Tashmë kanë ardhur shenjat e tij. E çfarë do t'u vlejë marrja mësim pasi t'u ketë ardhur Kiameti?!

فَاعْلَمْ أَنَّهُ لَا إِلَٰهَ إِلَّا اللَّهُ وَاسْتَغْفِرْ لِذَنْبِكَ وَلِلْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ ۗ وَاللَّهُ يَعْلَمُ مُتَقَلَّبَكُمْ وَمَثْوَاكُمْ

Pra, dije se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut e kërko falje për gjynahet e tua dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu i di lëvizjet dhe vendqëndrimet tuaja.

وَيَقُولُ الَّذِينَ آمَنُوا لَوْلَا نُزِّلَتْ سُورَةٌ ۖ فَإِذَا أُنْزِلَتْ سُورَةٌ مُحْكَمَةٌ وَذُكِرَ فِيهَا الْقِتَالُ ۙ رَأَيْتَ الَّذِينَ فِي قُلُوبِهِمْ مَرَضٌ يَنْظُرُونَ إِلَيْكَ نَظَرَ الْمَغْشِيِّ عَلَيْهِ مِنَ الْمَوْتِ ۖ فَأَوْلَىٰ لَهُمْ

Besimtarët thonë: "Sikur të shpallej një sure?" Por, kur shpallet një sure e qartë dhe përmendet lufta në të, i sheh ata që kanë sëmundje në zemra duke të shikuar sikur të ishin në agoninë e vdekjes. Ndërkohë, më e përshtatshme për ta do të ishte

طَاعَةٌ وَقَوْلٌ مَعْرُوفٌ ۚ فَإِذَا عَزَمَ الْأَمْرُ فَلَوْ صَدَقُوا اللَّهَ لَكَانَ خَيْرًا لَهُمْ

bindja dhe fjala e mirë. Por, kur çështja të jetë vendosur, sikur t'i qëndronin besnikë Allahut, do të ishte më mirë për ta.

فَهَلْ عَسَيْتُمْ إِنْ تَوَلَّيْتُمْ أَنْ تُفْسِدُوا فِي الْأَرْضِ وَتُقَطِّعُوا أَرْحَامَكُمْ

A pritet gjë tjetër, nëse ju ktheni shpinën, veçse të bëni çrregullime në Tokë e t'i shkëputni lidhjet farefisnore!

أُولَٰئِكَ الَّذِينَ لَعَنَهُمُ اللَّهُ فَأَصَمَّهُمْ وَأَعْمَىٰ أَبْصَارَهُمْ

Këta janë ata që Allahu i ka mallkuar, ua ka shurdhuar veshët dhe ua ka verbuar sytë.

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَىٰ قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا

A nuk e përsiatin ata Kuranin apo në zemrat e tyre ka dryna?!

إِنَّ الَّذِينَ ارْتَدُّوا عَلَىٰ أَدْبَارِهِمْ مِنْ بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمُ الْهُدَى ۙ الشَّيْطَانُ سَوَّلَ لَهُمْ وَأَمْلَىٰ لَهُمْ

Pa dyshim, atyre që u kthyen në mosbesim pasi iu bë e qartë rruga e drejtë, shejtani ua hijeshoi punët e u dha shpresa të kota.

ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمْ قَالُوا لِلَّذِينَ كَرِهُوا مَا نَزَّلَ اللَّهُ سَنُطِيعُكُمْ فِي بَعْضِ الْأَمْرِ ۖ وَاللَّهُ يَعْلَمُ إِسْرَارَهُمْ

Kjo, për shkak se ata u thanë atyre që e urrejnë atë që ka shpallur Allahu: "Do t'ju bindemi në disa çështje." Por, Allahu i di fshehtësitë e tyre.

فَكَيْفَ إِذَا تَوَفَّتْهُمُ الْمَلَائِكَةُ يَضْرِبُونَ وُجُوهَهُمْ وَأَدْبَارَهُمْ

E, si do të jetë gjendja e tyre kur melekët t'ua marrin shpirtrat, duke i goditur në fytyrë e në kurriz?!

ذَٰلِكَ بِأَنَّهُمُ اتَّبَعُوا مَا أَسْخَطَ اللَّهَ وَكَرِهُوا رِضْوَانَهُ فَأَحْبَطَ أَعْمَالَهُمْ

Kjo, se ata shkuan pas asaj që e zemëron Allahun dhe e urryen pëlqimin e Tij, prandaj Ai ua asgjësoi veprat.

أَمْ حَسِبَ الَّذِينَ فِي قُلُوبِهِمْ مَرَضٌ أَنْ لَنْ يُخْرِجَ اللَّهُ أَضْغَانَهُمْ

Vallë, a mos kujtojnë ata që kanë sëmundje në zemra se Allahu nuk do t'i nxjerrë në pah mëritë e tyre?!

وَلَوْ نَشَاءُ لَأَرَيْنَاكَهُمْ فَلَعَرَفْتَهُمْ بِسِيمَاهُمْ ۚ وَلَتَعْرِفَنَّهُمْ فِي لَحْنِ الْقَوْلِ ۚ وَاللَّهُ يَعْلَمُ أَعْمَالَكُمْ

Sikur të donim, Ne do të t'i tregonim ty ata e do t'i njihje përmes shenjave të tyre, por, me siguri, do t'i njohësh ata nga mënyra e të folurit. Allahu i di veprat tuaja.

وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ حَتَّىٰ نَعْلَمَ الْمُجَاهِدِينَ مِنْكُمْ وَالصَّابِرِينَ وَنَبْلُوَ أَخْبَارَكُمْ

Ne do t'ju sprovojmë derisa t'i spikatim luftëtarët (e vërtetë) e të durueshmit ndër ju dhe të provojmë veprat tuaja.

إِنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا وَصَدُّوا عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ وَشَاقُّوا الرَّسُولَ مِنْ بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمُ الْهُدَىٰ لَنْ يَضُرُّوا اللَّهَ شَيْئًا وَسَيُحْبِطُ أَعْمَالَهُمْ

Me të vërtetë, ata që mohojnë, pengojnë (njerëzit) nga rruga e Allahut dhe kundërshtojnë të Dërguarin pasi t'u bëhet e qartë rruga e drejtë, nuk i bëjnë dëm Allahut aspak. Ai do t'ua asgjësojë veprat atyre.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَلَا تُبْطِلُوا أَعْمَالَكُمْ

O ju që besoni! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit e mos i prishni veprat tuaja!

إِنَّ الَّذِينَ كَفَرُوا وَصَدُّوا عَنْ سَبِيلِ اللَّهِ ثُمَّ مَاتُوا وَهُمْ كُفَّارٌ فَلَنْ يَغْفِرَ اللَّهُ لَهُمْ

Pa dyshim, ata që mohojnë dhe pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut dhe pastaj vdesin duke qenë jobesimtarë, Allahu nuk do t'i falë kurrë.

فَلَا تَهِنُوا وَتَدْعُوا إِلَى السَّلْمِ وَأَنْتُمُ الْأَعْلَوْنَ وَاللَّهُ مَعَكُمْ وَلَنْ يَتِرَكُمْ أَعْمَالَكُمْ

Pra, mos u ligështoni e të kërkoni paqe, ndërkohë që ju jeni më të lartët dhe Allahu është me ju e nuk do t'jua pakësojë (shpërblimin për) veprat tuaja.

إِنَّمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا لَعِبٌ وَلَهْوٌ ۚ وَإِنْ تُؤْمِنُوا وَتَتَّقُوا يُؤْتِكُمْ أُجُورَكُمْ وَلَا يَسْأَلْكُمْ أَمْوَالَكُمْ

Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse lojë e dëfrim. Nëse besoni dhe ruheni, Ai do t'jua japë shpërblimet tuaja dhe nuk jua kërkon tërë pasurinë tuaj.

إِنْ يَسْأَلْكُمُوهَا فَيُحْفِكُمْ تَبْخَلُوا وَيُخْرِجْ أَضْغَانَكُمْ

Po t'jua kërkonte atë me ngulm, ju do të bëheshit koprracë dhe Ai do të nxirrte në pah urrejtjen tuaj.

هَا أَنْتُمْ هَٰؤُلَاءِ تُدْعَوْنَ لِتُنْفِقُوا فِي سَبِيلِ اللَّهِ فَمِنْكُمْ مَنْ يَبْخَلُ ۖ وَمَنْ يَبْخَلْ فَإِنَّمَا يَبْخَلُ عَنْ نَفْسِهِ ۚ وَاللَّهُ الْغَنِيُّ وَأَنْتُمُ الْفُقَرَاءُ ۚ وَإِنْ تَتَوَلَّوْا يَسْتَبْدِلْ قَوْمًا غَيْرَكُمْ ثُمَّ لَا يَكُونُوا أَمْثَالَكُمْ

Ja, ju jeni ata që ftoheni të shpenzoni në rrugën e Allahut, megjithatë disa prej jush tregohen koprracë. E kush bëhet koprrac, në të vërtetë bëhet koprrac kundrejt vetvetes. Allahu është i Pasuri, ndërsa ju jeni të varfrit. Në qoftë se ju ktheni shpinën, Ai do t'ju zëvendësojë me një popull tjetër, të cilët pastaj nuk do të jenë si ju.