1Allahu ka dëgjuar fjalët e asaj që po diskutonte me ty lidhur me burrin e saj dhe që iu ankua Allahut. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj. Vërtet, Allahu dëgjon dhe sheh çdo gjë.
2Ata prej jush që bëjnë dhihar, le ta dinë se ato nuk bëhen nëna të tyre. Nëna të tyre janë vetëm ato që i kanë lindur. Me të vërtetë, fjalët që thonë janë të shëmtuara e të rreme. Megjithatë, Allahu është Shlyes i gjynaheve e Falës i Madh.
3Ata që i shpallin të paligjshme për vete gratë e tyre përmes dhiharit e pastaj tërhiqen nga ajo që kanë thënë, duhet të lirojnë një rob para se të preken mes vete. Kjo është këshillë për ju e Allahu di gjithçka që bëni.
4E kush nuk ka mundësi (të lirojë një rob), duhet të agjërojë dy muaj rresht, para se të preken mes vete. E kush nuk ka mundësi as për këtë, duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo, që të besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Këta janë kufijtë e Allahut. Ndërkaq, për jobesimtarët ka dënim të dhembshëm.
5Me të vërtetë, ata që i kundërvihen Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të poshtërohen, ashtu siç u poshtëruan ata para tyre. Ne kemi zbritur ajete të qarta, kurse për jobesimtarët ka dënim poshtërues,
6Ditën kur Allahu do t’i ringjallë të gjithë e do t’i njoftojë për atë që kanë bërë. Allahu i ka shënuar të gjitha, ndërsa ata e kishin harruar. Allahu është Dëshmitar për çdo gjë.
7A nuk e di ti se Allahu di çdo gjë që është në qiej e në Tokë?! Nuk ka bisedë të fshehtë mes tri vetave e që Ai të mos jetë i katërti; as mes pesë vetave e që Ai të mos jetë i gjashti; as mes më pak a më shumë vetave, që Ai të mos jetë me ta, kudo që të jenë. Pastaj, në Ditën e Kiametit, Ai do t’i njoftojë për atë që kanë bërë. Pa dyshim, Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
8A nuk i sheh ata të cilët, edhe pse u ndaluan nga bisedat e fshehta, kthehen tek ajo që u është ndaluar dhe pëshpëritin për gjynahe, armiqësi dhe mosbindje ndaj të Dërguarit? Kur vijnë te ti, të përshëndesin ndryshe nga mënyra me të cilën të përshëndet Allahu dhe thonë më vete: "Përse nuk na dënon Allahu për këtë që themi?" Mjafton për ta Xhehenemi, ku do të futen. Eh, sa vend i keq që është ai!
9O ju që besuat! Kur të flisni fshehurazi, mos flitni për gjynahe, armiqësi e mosbindje ndaj të Dërguarit, por flitni për mirësi e devotshmëri dhe frikësojuni Allahut, tek i Cili do të tuboheni!
10Në të vërtetë, bisedat e fshehta janë prej shejtanit, për t’i pikëlluar besimtarët, por ai nuk mund t’u bëjë dëm aspak, përveçse me lejen e Allahut. Prandaj, vetëm Allahut le t'i mbështeten besimtarët!
11O ju që besoni! Kur ju thuhet “Bëni vend” nëpër ndeja, atëherë bëni vend, se Allahu do t’ju bëjë vend juve. E, kur ju thuhet “Ngrihuni”, atëherë ngrihuni, se Allahu do t'i ngrejë ata që besojnë nga mesi juaj dhe ata që u është dhënë dija në shkallë të lartë. Allahu di mirë gjithçka që bëni.
12O ju që besoni! Kur doni të flisni veçmas me të Dërguarin, atëherë para bisedës suaj jepni lëmoshë, se kjo është më mirë dhe më pastër për ju. E nëse nuk gjeni (mundësi), atëherë Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.
13A mos po frikësoheni (nga varfëria) të jepni lëmoshë para bisedës suaj veçmas (me të Dërguarin)?! Meqë nuk e bëtë këtë dhe Allahu jua fali, atëherë faleni namazin, jepeni zekatin dhe bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij! Allahu di mirë gjithçka që bëni.
14A nuk i sheh ata që miqësohen me njerëz me të cilët Allahu është i zemëruar? Ata nuk janë as prej jush, as prej tyre, madje betohen rrejshëm me vetëdije.
18Ditën kur Allahu do t’i ringjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij ashtu siç ju betohen juve, duke menduar se po mbështeten në diçka. Vini re, pikërisht ata janë gënjeshtarët!
22Nuk do të gjesh njerëz që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit e t'i duan ata që i kundërvihen Allahut dhe të Dërguarit të Tij, edhe sikur të jenë ata baballarët e tyre, bijtë e tyre, vëllezërit e tyre ose farefisi i tyre. Allahu ka skalitur besimin në zemrat e tyre dhe i ka forcuar me një frymë (dritë) nga ana e Tij. Ai do t’i fusë ata në kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ata janë pala e Allahut. Vini re, pala e Allahut janë fitimtarët.